Ishte ora e fundit e ditës së fundit të pushimeve të Peter Smith në Tobago kur ai vendosi të zhytej në det.
“Kushtet ishin perfekte për të notuar”, kujton drejtori i pensionuar i IT-së. “U zhyta në valë, notova jo më shumë se 6 metra dhe qëndrova deri në bel në ujë”.
Ai dhe gruaja e tij Joanna, nga Hertfordshire – Angli, ishin larg me miqtë dhe gjëja e fundit që u shkonte ndërmend ishte rreziku i sulmeve të peshkaqenëve – ato janë të padëgjuara në këtë ishull të vogël të Karaibeve.
“Papritmas ndjeva një objekt shumë të rëndë që më goditi këmbën. Shikova poshtë dhe ja ku ishte një peshkaqen – dhe është i madh”, kujton Peter, shkruan BBC.
“Po flasim ndoshta për 3 metra. Atëherë truri juaj punon me 1.000 milje në orë”.
Ai ishte kafshuar nga një peshkaqen dem, një nga peshkaqenët më të rrezikshëm në botë dhe famëkeq për gjueti në ujëra të cekëta.
Në intervistën e tij të parë që nga sulmi në prill 2024, Peter tregon për BBC News për përvojën e tij të tmerrshme – dhe pse ai ende nuk ka frikë nga peshkaqenët.




