Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë si një “emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”.
OBSH-ja tha se deri të shtunën janë raportuar 80 vdekje të dyshuara, tetë raste të konfirmuara laboratorikisht dhe 246 raste të dyshuara me Ebola në provincën e largët Ituri në RD të Kongos, në të paktën tri zona shëndetësore, përfshirë Bunia, Rwampara dhe Mongbwalu.
Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) njoftuan të shtunën se të paktën 87 persona kanë vdekur në provincën lindore, ndërsa janë regjistruar 336 raste të dyshuara dhe 13 raste të konfirmuara. Katër persona kanë humbur jetën nga rastet e konfirmuara, raporton skynews.
Në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, OBSH-ja tha se të premten dhe të shtunën janë raportuar dy raste të konfirmuara laboratorikisht, të cilat duket se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, përfshirë edhe një viktimë. Personat kishin udhëtuar nga RD e Kongos.
Ministria e Shëndetësisë në Ugandë tha se rastet janë “të importuara” nga RD e Kongos dhe se trupi i pacientit që vdiq në Kampala më pas është kthyer në RD të Kongos.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara shtoi se një rast i konfirmuar laboratorikisht është raportuar edhe në kryeqytetin e RD të Kongos, Kinshasa, te një person që ishte kthyer nga Ituri.
OBSH-ja tha se shpërthimi aktual nuk i plotëson kriteret për t’u shpallur pandemi.
Africa CDC ka ngritur shqetësime për rrezikun e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes për shkak të afërsisë së zonave të prekura me Ugandën dhe Sudanin e Jugut.
Agjencia paralajmëroi gjithashtu për “transmetim aktiv në komunitet”, ndërsa punonjësit shëndetësorë po intensifikojnë kontrollet dhe gjurmimin e kontakteve për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Drejtori i përgjithshëm i Africa CDC, Dr. Jean Kaseya, tha se rastet e para janë raportuar në zonën shëndetësore Mongwalu, një zonë minerare me qarkullim të madh njerëzish, përpara se të përhapeshin në Rwampara dhe Bunia.
Sipas tij, pacientët kanë lëvizur në këto zona në kërkim të trajtimit mjekësor, duke mundësuar përhapjen në tri zona shëndetësore.
Nga 87 vdekjet, 57 janë regjistruar në Mongwalu, 27 në Rwampara dhe tri në Bunia, qyteti kryesor i provincës Ituri.
Kaseya tha se një numër i madh rastesh aktive mbeten veçanërisht në Mongwalu, gjë që “e komplikon ndjeshëm kontrollin e situatës dhe përpjekjet për gjurmimin e kontakteve”.
Ai shtoi se sulmet e vazhdueshme nga militantët e mbështetur nga Shteti Islamik po kufizojnë mbikëqyrjen dhe operacionet e reagimit të shpejtë në Ituri.
Ministri kongolez i Shëndetësisë, Samuel-Roger Kamba, tha vonë të premten se rasti i parë i dyshuar në shpërthimin aktual është një infermiere që vdiq në një spital në Bunia.
Sipas tij, rasti daton që nga 24 prilli. Ai tha se infermierja kishte simptoma që sugjeronin Ebola, por nuk tregoi nëse mostrat e saj ishin testuar.
Republika Demokratike e Kongos ka përjetuar 17 shpërthime të Ebolës që nga identifikimi i parë i sëmundjes në këtë vend në vitin 1976.

