Real Madridi nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit të Eder Militao pasi klubet nga Arabia Saudite dhe Katari janë duke shfaqur interes për mbrojtësin 27-vjeçar brazilian, ndërsa Reali ka vendosur një çmim për të nëse ai dëshiron të ndryshojë ambient gjatë këtij afati kalimtar.
Kanë mbetur më shumë se dy javë deri në mbylljen e afatit kalimtar dhe pavarësisht deklaratave se nuk do të bëhen lëvizje të mëtejshme, Real Madridi mund të bëhet një lojtar i rëndësishëm në këtë periudhë të fundit të gushtit. Një prej emrave në qendër të vëmendjes është Rodrygo Goes, për të cilin interes ka treguar Manchester City.
Në rast se realizohet një shitje në parametra që klubi kërkon, rreth 100 milionë euro, pritet që Reali të bëjë përforcime, veçanërisht në repartin mbrojtës. Një prej emrave që ishte në radar më parë ishte Ibrahima Konate nga Liverpooli.
Megjithatë, përveç Rodrygos, edhe Eder Militao është në qendër të interesit të mediave dhe klubeve të ndryshme. Mbrojtësi brazilian ka treguar një nivel të lartë që nga ardhja e tij nga Porto, por dy dëmtime serioze kanë ngritur dyshime për vazhdimësinë e performancës së tij.
Militao ka treguar besim të fortë në deklaratat e tij, duke thënë se ndonëse pësoi një dëmtim të dytë të ligamentit të kryqëzuar, është rikuperuar plotësisht pas një periudhe të gjatë rikuperimi. Trajneri Xabi Alonso ka besim të plotë tek ai dhe e sheh si një element kyç të mbrojtjes gjatë sezonit.
Megjithatë, interesat e klubeve nga Arabia Saudite dhe Katari janë reale dhe Reali nuk ka mbyllur derën për largim.
Në rast se Militao kërkon të largohet, do të shqyrtohet një ofertë prej 45 milionë eurosh, një shumë që në kushtet e tregut aktual konsiderohet e arsyeshme për një lojtar 27-vjeçar me cilësi të spikatura, megjithatë dyshimet për shkak të dëmtimeve.