Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në koordinim me Antidrogën dhe Prokurorinë Rajonale në Prizren ka zhvilluar mbrëmë aksion policor në Suharekë, që rezultoi me një person të arrestuar.
Klankosova.tv mësoi se hetimi disamujor ka përfshirë aplikimin e masave të fshehta, që çuan në kapjen e personit të dyshuar në flagrancë.
Ai dyshohet për tri vepra penale, fajde, shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve dhe armë ilegale.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari “Y.M., që nga muaji dhjetor 2024, e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla me kamatë prej 10%. Pasi që viktima nuk arrin t’ia kthejë të pandehurit me kohë të hollat për muajin vijues, përveç kamatës, i pandehuri kërkon edhe shumën shtesë për çdo vonesë, derisa kamatat vazhdojnë të rriten në vazhdimësi, dhe bëhen të papërballueshme për viktimën.”
“Gjatë këtij aksioni, është kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, me ç’rast Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar:
Pesë (5) kavanoza qelqi dhe tri (3) qese plastike me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1 Kg e 57 gram;
Një (1) peshore elektronike;
Dy (2) grindera;
Dy (2) telefona mobil;
Një (1) pistoletë P22Walther, kalibër 9mm me një (1) karikator të zbrazur;
Një (1) pistoletë ROHM RG96, kalibër 9mm;
Një (1) karikator me 9 fishekë;
Një (1) armë automatike e llojit të panjohur;
Tëdhjetë e një (81) fishekë të kalibrit të panjohur;
Një (1) Automjet “Opel Astra”.” – njoftoi Prokuroria.
I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtin Departamenti i Krimeve të Rënda do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.