Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, gjatë qëndrimit në Shkup mbajti një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Ajo u shpreh para deputetëve maqedonas se Maqedonia e Veriut tani ka mundësinë për të qëndruar bashkë me BE-në.
Por, gjatë fjalimit të saj ka pasur kontestime nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët kanë hedhur edhe pankarta në drejtim të saj.
“Të falenderoj për këtë sjellje demokratike”, u shpreh Presidentja e KE.
E para e Komisionit Evropian theksoi më tej se i ka dëgjuar me kujdes shqetësimet për gjuhën, por tha se “Gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe nuk do të preket në këtë proces”.
Pas kësaj deklarate deputetët e mazhorancës u ngritën në këmbë duke duartrokitur, ndërsa nga ata të opozitës pati kontestime.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është mbledhur këtë të enjte për propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, një proces që do t’i hapte rrugën nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.
Kjo çështje është e vetmja pikë në rendin e ditës.
Propozimi francez përbëhet nga dy dokumente të veçanta, konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe korniza negociuese.
Nëse Maqedonia e Veriut pranon propozimin francez, do të duhet të nënshkruhet edhe protokolli dypalësh me Bullgarinë, ndërsa kërkohet që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë pas konferencës së parë ndërqeveritare dhe hapjes zyrtare të negociatave, por para hapjes së klasterit të parë.