Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim e ka publikuar një video me të cilin pretendon se ish-dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli e ka pranuar fajësinë për plagjiaturë.
Sipas ORCA-s, ai e pranon para Senatit se ka kontrabanduar punime shkencore me qëllim të avancimi pa asnjë kontribut në të.
Por, kjo u mohua kategorikisht nga Dugolli.
Ai tha për Klankosova.tv se pretendimet e kësaj organizate janë plotësisht të pavërteta.
“Kjo sagë po vazhdon tash e dy vjet. Unë e kam deklaruar edhe më parë edhe vazhdojë ta them se unë nuk kam bërë kurrfarë plagjiati. Unë kam thënë edhe në televizionin tuaj se jam linçuar publikisht” – tha Dugolli.
Ish-numri një i Fakultetit Filozofik theksoi se në mbledhjen e Sentatit të Universitetit të Prishtinës ai është shprehur se është i pafajshëm.
“Unë në mbledhjen e senatit, i kam shprehur mendimet e mia se Këshilli i Etikës Profesionale nuk i ka marrë vendimet bazuar në Ligj. Ato vendime janë kthyer tashmë mbrapsht nga senati. Pasi i kam shprehur mendimet e mia unë kam dal nga mbledhja e senatit” – tha ai.
“Ata kanë mundur të bëjnë edhe montazha e gjëra të këtilla për të nxjerrë të pavërteta”.
Bujar Dugolli tha se nuk i merr për bazë qëllimet e dikujt që fakultetin s’ka mundur ta përfundojë në kohën e paraparë, njofton Klan Kosova.tv.
“Unë nuk i marrë për bazë qëllimet e dikujt që s’ka mundur ta kryejë fakultetin për 10 vjet. Edhe diplomimin e ka të dyshimtë”.

