Sipas postimit të saj në X, presidenti Trump qëndroi përkrah popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu narko-shtetit të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar.
“Populli venezuelian meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të qeverisur nga ligji, jo nga frika. Narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar kërcënojnë paqen përtej kufijve kombëtarë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se “Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane – çlirimi ynë është një dëshmi e kësaj”.
“Në një moment kur ShBA-ja po përballet me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta përforcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur bashkohet pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta”.
“Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku – sepse liria jonë kolektive varet prej saj”, potencoi presidentja Osmani.
Presidenti Trump ka njoftuar sot se ShBA-ja ka sulmuar Venezuelën, dhe ka kapur presidentin e saj, Nicolas Maduro.

