Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori.
Osmani tha se sot e përgjithmonë këta tre emra do të mbeten të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë.
Ajo theksoi se të mbijetuarit e dhunës me dhimbjen e tyre e kanë ndriçuar rrugën drejt së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës.
Në këtë ceremoni, Osmani tha se ka momente që nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohje.
“Ju jeni zëri i së vërtetës që pret drejtësi me dekada. Ju ngritët zërin e mijëra të mbijetuarve të krimit të llahtarshëm gjatë luftës”, tha Osmani derisa iu drejtua të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Osmani tha se nuk mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme pa pasur drejtësi për ata që kanë përjetuar dhunën më çnjerëzore.