Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova nuk është thjesht një shtet i ri, por një dëshmi e gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të ndërtojnë dritë edhe nga plagët e luftës.
Në kuadër të “The Humboldt Speeches on Europe”, një forum prestigjioz për krerë shtetesh nga Evropa, Osmani tha se për të ishte një nder të flasë në këtë ngjarje.
“Në këtë ndërtesë historike, në zemër të Berlinit, Kosova u paraqit si një histori e demokracisë që triumfon, e vlerave që bashkojnë dhe e shpresës që e bën Evropën më të fortë, më humane dhe më të bashkuar,” shkroi Osmani në Facebook.
Presidentja po qëndron në Berlin, ndërsa më parë ishte në Aspen Institute, ku theksoi se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur, por një interes strategjik për rajonin dhe për aleancën euroatlantike.