Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar kolonelin Tahir Zemaj në 22 vjetorin e vrasjes së tij.
Osmani ka thënë se ai ka qenë një nga figurat më të shquara të luftës së UÇK-së për liri.
Presidentja ka thënë se fakti që vrasësit ende nuk janë ndëshkuar është një dhimbje që nuk mund të fshihet dhe një plagë që është ende e hapur.
Postimi i plotë në faqen e Presidencës së Republikës së Kosovës:
Presidentja Vjosa Osmani kujton Heroin e Kosovës, Kolonelin Tahir Zemaj, në 22-vjetorin e vrasjes
Në 22-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt Heroin e Kosovës, Kolonelin Tahir Zemaj, ushtarakun e UÇK-së dhe njërin nga figurat më të shquara të luftës për liri.
22 vjet më parë, ai u vra pabesisht në hyrje të Pejës, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin.
Vrasësit, të cilët lanë pas tragjedinë dhe dhimbjen, ende nuk janë ndëshkuar. Kjo është një dhimbje që nuk mund të fshihet, një plagë që është ende e hapur.
Vepra e kolonel Tahir Zemajt, si një udhëheqës i paepur dhe guximtar, vazhdon të frymëzojë brez pas brezi.
Emri i kolonelit do të jetë gjithmonë simbol i sakrificës dhe i luftës për liri dhe pavarësi, ndaj zbulimi i autorëve të vrasjes dhe vënia para drejtësisë janë të domosdoshme.
Nderim të përjetshëm për Kolonel Tahir Zemajn, Enisin dhe Hasanin!