Telenews

Osmani për 12 qershorin: Qofsh përjetë e bekuar Kosova jonë e dashur

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke e cilësuar këtë datë si një nga më të rëndësishmet në historinë e vendit.

Në postimin e saj në Facebook, Osmani shkroi se 12 Qershori shënon momentin kur “dhimbja e luftës i la vend shpresës dhe lirisë”, duke kujtuar hyrjen e forcave të NATO në Kosovë si pikë kthese historike.

“Qofsh përjetë e bekuar, Kosova jonë e dashur! 12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Dita kur Kosova filloi të marrë frymë e lirë. Dita kur ëndrra e shumë brezave për liri u bë realitet. Kjo është dita kur mbi tokën e djegur e të stërvuajtur të Kosovës zbarkoi shpresa. Dhjetëra mijëra ushtarakë të shteteve të NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë dritë në vend të errësirës së pafund që përjetonte populli ynë prej shekujsh. Sot, me dhimbje e krenari, kujtojmë bijat dhe bijtë më të mirë të këtij vendi, dëshmorët e UÇK-së të prirë nga Kryekomandanti Adem Jashari, si dhe martirët e lirisë që dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë. Kujtojmë familjet që sakrifikuan gjithçka, të mbijetuarit që bartën plagët e luftës dhe të gjithë ata që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësisë”, tha ajo.

Po ashtu në postim përmendet edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, të cilin Osmani e vlerëson për rolin e tij në ndërtimin e aleancave ndërkombëtare në periudhat më të vështira të Kosovës.

“Në këtë ditë të shenjtë shprehim mirënjohjen e pafund për vizionin e Atit Themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova, i cili në kohët më të rënda të historisë sonë diti të ndërtojë aleanca që na u gjendën pranë në ditët më të vështira. Mirënjohja e popullit te Kosovës për aleatët e lirisë do të mbetet e përjetshme. Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët dhe martirët e lirisë, vizioni i Presidentit Rugova dhe aleatët që na qëndruan në krah”, shkroi Osmani.

Të ngajshme

Homazhe në Skenderaj, figura politike dhe qytetarë nderojnë Sahit Jasharin

Rrezarta Ramaj

Në New York s’është vëmendja veç në sport, jo së paku kur atje është Luana!

Rrezarta Ramaj

Çmimi i naftës bie në nivelin më të ulët të dy muajve

Rrezarta Ramaj