Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka takuar ndaras ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, për t’u koordinuar rreth hapave për “zhbllokim” të anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina.
Kupina edhe më herët gjatë ditës së enjte ka thënë për Dukagjinin se presidentja Osmani është duke biseduar me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në KiE.
“Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas tij, Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme, ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka shtuar Kupina.
Lidhur me këtë proces, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka adresuar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin.
Në atë letër është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin dhe se shpreson se zotimi i saj të përmbushet.
E hapa konkretë për Asociacionin në lidhje me KiE, kishin kërkuar Franca, Gjermania e Italia. Hap konkret ishte dërgimi në Kushtetueses i draftstatutit të përpiluar nga evropianët, por kjo u quajt absurde nga kryeministri Albin Kurti, i cili u refuzua.
Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se ky veprimi i Qeverisë së Kosovës, nuk është konsultuar e as dakorduar me presidenten, Vjosa Osmani.
“Krisje” mes Kurtit e Osmanit? – Presidenca nuk e përkrah letrën drejtuar KiE-së

