Presidentja e vendit Vjosa Osmani është takuar me zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), Kamala Harris.
Presidentja Osmani ka thënë se zv.presidentes amerikane i ka përcjellë mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin që SHBA ka dhënë për vendin tonë.
“I përcolla mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme!”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja Osmani po qëndron në Zvicër ku do ta përfaqësojë vendin në Samitin e Paqes për Ukrainën.
Nga Zvicra, Osmani gjatë ditës është paraqitur përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në “Facebook”, ku u shpreh se Kosova i bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, atë të ndërlidhur me drejtësinë me viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës.
“Siç e dimë nga përvoja e jonë e hidhur në Kosovë, nuk mjafton që thjeshtë paqen ta shohim si koncept të izoluar, pasi ajo në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës. Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storjen tonë, tregimin e Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme”, ka thënë Osmani.

