Telenews

“Pa koment”: Misteri i arratisjes së Enver Sekiraqës

Policia dhe Gjykata vazhdojnë të heshtin për arratisjen e Enver Sekiraqes, duke mos dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë rast. Kërkesat e vazhdueshme nga Paparaci për informacion dhe sqarime kanë mbetur pa përgjigje, kështu duke lënë vend për spekulime e shqetësime mbi efikasitetin dhe transparencën e institucioneve të drejtësisë në vend.

Enver Sekiraqa, një figurë “e frikshme” në botën e krimit, vazhdon të jetë i padisponueshëm për organet e rendit.

Një vendim i gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Agim Kuçit që Sekiraqa të mbrohet në liri, kushtoi me arratisjen e tij, tash e dy muaj.

Policia, që ka përgjegjësinë kryesore për kapjen e personave të arratisur, nuk ka dhënë asnjë detaj mbi kërkimet për Sekiraqen. Në heshtje është kapluar edhe gjykata, duke mos thënë asnjë deklaratë për të sqaruar situatën.

Paparaci, dy herë ka kërkuar informata për rastin, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

Mungesa e informacioneve zyrtare ka krijuar një situatë të paqartë mbi rrethanat e arratisjes dhe masat që janë marrë për të garantuar kapjen e tij.

Kjo heshtje institucionale ka nxitur spekulime të ndryshme, duke përfshirë edhe dyshime mbi mundësinë e bashkëpunimit të brendshëm apo keqmenaxhimit të rastit.

Arratisjen e Sekiraqës e kishte konfirmuar Policia e Kosovës më 18 maj, ku kishte njoftuar se “ai është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, ku Apeli vendosi që të njëjtin ta kthej në paraburgim”.

Policia, pas pranimit të aktvendimit të Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë, Enver Sekiraqës i është dërguar ftesa, mirëpo nuk është hasur në vendbanimin e tij.

Pas disa vitesh në gjykatë, Enver Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim për shtytje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, vrasje që ka ndodhur në vitin 2007.

Vlen të theksohet se Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga shkalla e parë, por çështja ishte kthyer në rigjykim. Më 17.05.2016 ishte dënuar me 37 vjet dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar (16.09.2019) me 30 vjet dënim me burgim.

Më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, gjykatësi Agim Kuçi mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

Në vendimin e tji thuhet se kanë pushuar arsyet për mbajtjen e Sekiraqës në arrest shtëpiak.

“Gjykata me date 03.05.2024 ka shpallur aktgjykim dënues për të pandehurin dhe meqënëse është arritur sigurimi i tij në procedure gjykata vlerëson se kanë përfunduar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në vendim.

“Andaj gjykata tani ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe masa e arrestit shtëpiak, ngase i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe ndaj të njëjtit është bërë shpallja e aktgjykimit, andaj të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ashtu që Gjykata urdhëron që i njëtji të mbrohet në liri”, thuhet më tutje në vendimin e gjyqtarit.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale ndaj atij vendimi, ka vendosur që Sekiraqën ta kthejë në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë. Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi.

Avokati mbrojtës i Sekiraqës, Besnik Berisha pati deklaruar se ai nuk është arratisur, por sipas tij Sekiraqa është në spital duke u trajtuar me probleme shëndetësore serioze. Ai nuk ka njoftuar për vendin se në cilin vend gjendet klienti i tij.

Disa ditë pas kësaj deklarate, Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e Enver Sekiraqës duke ia publikuar fotografinë./Paparaci

Të ngajshme

“Ki kujdes”, Kupchan mesazh Kurtit: Trump do të bisedojë me ata që mendon se mund t’i zgjidhin problemet

KushtrimGuraj

KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës për dërgimin e FSK-së në veri

KushtrimGuraj

Për herë të parë trupat e FSK-së në gjendje gatishmërie për qytetarët

KushtrimGuraj