Në Kosovë kanë ndodhur tri degradime: ai institucional, nacional dhe i treti është ai etik.
Kështu është shprehur Rrahman Paçarizi në Rubikon të Klan Kosovës, teksa i ka sqaruar të tri këto degradime.
“Kemi degradim institucional, në kuptimin se shpërfillen procedurat, institucionet. Institucionet janë shpërfillur kur dikush nga partia i ka udhëhequr institucionet pa pasur pozitë institucionale, dhe po e shohim procedurat si janë shkelur. Janë tri elemente, kur Bislimi thotë të shkelen procedurat për kompaninë, të ruhen paratë dhe të bëhet me kontratë me negocim. Kjo e fundit është e rëndësishme”.
“Thamë se nuk është e vërtetë se kanë dashur t’i ruajnë paratë. Ka dashur t’i çojë dikah ato para. Ka degradim institucional. I dyti degradim është ai nacional i cili shpërfaqet në komunikimin e djeshëm të shefit të misioneve të veçante të ShBA-së, Richard Grenell, i cili duke e demantuar zotin Kurti, tha se i keni punët keq. Pse po them degradim nacional? Sepse po rrezikohet siguria dhe qenësia e shtetit të Kosovës, ekzistenca e shtetit të Kosovës”.
“Dhe degradimi i tretë është ai etik. Sepse, Albin Kurti sot ka guxuar t’u thotë qytetarëve në Podujevë që Kosova po lulëzon dhe Gjermania, fatkeqësisht është buzë recesionit. Të japësh një deklaratë të tillë tejkalon çdo kufi etik në raport me njerëzit të cilëve ua kërkon votën”, u shpreh Paçarizi.