Telenews

Pajisjet ndihmëse për personat me paralizë nuk dorëzohen në shtëpi, përfituesit paguajnë transportin

Qindra të paralizuar që janë përfitues të pajisjeve ndihmëse, janë detyruar të paguajnë vetë transportin për t’i marrë ato në Prishtinë, pavarësisht se kontrata me SHSKUK-në obligon “Handikos” ta bëjë shpërndarjen e tyre në të gjithë vendin. E dhëna është konfirmuar në së paku katër komuna.

Personat me paralizë janë detyruar që vetë ose familjarët e tyre t’i tërheqin pajisjet ndihmëse në “Handikos”, ndonëse kjo shoqatë është kontraktuar për t’ua dorëzuar ato përfituesve.

Njëri nga ta është Bujar Rushiti, i cili konfirmoi se ka paguar transport nga Gjilani për të marrë pajisjen në Prishtinë.

Unë kam shku e kam marrë, nuk ma ka sjellë kurrkush. E kam marrë te ‘Handikosi’, këndej kah Gjykata që është atje. U dashtë me e pagu transportin, me pagu 30 euro për me shku me marrë. Shembull me shku me e bartë me autobus unë nuk mundem, jam person me aftësi të kufizume, jam pa dy këmbët dhe qysh shkoj unë atje me e marrë”, ka thënë Bujar Rushiti nga Gjilani.

Në dhjetor të 2025-tës, “Handikos” mori nga kontrata me SHSKUK-në 123 mijë e 134 euro për shpërndarjen dhe montimin e 4 mijë e 250 pajisjeve ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Kontrata e obligon “Handikosin” të bëjë shpërndarjen në të gjithë territorin e Kosovës.

Por, në disa degë të shoqatës, konfirmuan se kjo nuk ka ndodhur.

“Nuk i shpërndajnë, i njoftojnë dhe shkojnë me i marrë vetë. ‘Handikos’ i njofton, shkojnë i marrin njerëzit dhe jo edhe me ua ofru në shtëpi”, është shprehur Fatmir Shurdhani nga dega e “Handikosit” në Gjilan.

E Drejtoresha e “Handikosit” në Mitrovicë, Myrvete Hasani tha se detyrimi për të siguruar vetë transportin, ka ulur edhe numrin e aplikimeve për pajisje.

“Shumë pak kanë apliku se po printojnë me shku atje. Një nënë për fëmijë ka marrë karrocë. Ka marrë një vajzë e rritur, edhe ajo ka marrë karrocë. Janë maltretu, kanë shku në Prishtinë, e tash u dashtë me apliku vetë ata, e me shku tani në ‘Handikos’ Prishtinë me i marrë. Vetë kanë shku me i marrë. Nuk është bërë shpërndarja”, ka bërë të ditur Hasani.

Për numrin e ulët të personave që morën pajisje, kanë treguar edhe në degën e “Handikosit” në Podujevë.

“Veç një e di që e ka marrë, një paraplegjik dhe tetraplegjik. Ka shku vetë dhe ka shku dy herë. Dy herë po u dashke, një herë një termin, mandej me u matë, mandej me e marrë, veç vetë e ka marrë, nuk ia kanë pru në shtëpi”, ka thëënë Idriz Hoxha.

Transportin është dashur ta sigurojë vetë edhe një përfitues nga Drenasi.

“I kanë marrë. Një rast e di, të tjerët janë në aplikim. Ai e ka siguru transportin. Ky ka dashtë njëherë me gjetë taksi. Taksi ka kushtu shtrenjtë për me shku me marrë Prishtinë-Drenas edhe e ka gjet një njeri të vullnetit të mirë dhe ka shku e ka marrë pa pare”, ka treguar Behxhet Binaku nga Drenasi.

Në shoqatën “Handikos” në Prishtinë, nuk janë përgjigjur se përse nuk është zbatuar kontrata.

As SHSKUK-ja nuk ka dhënë përgjigje se pse ka lejuar shkeljen e kontratës.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, nga totali prej 4,250 pajisjesh ndihmëse, janë shpërndarë vetëm 535 sosh dhe kanë përfituar 123 persona. Sipas një përgjigjeje të mëhershme të “Handikosit”, disa persona kanë përfituar më shumë se dy pajisje.

Pajisjet janë blerë në vlerë gati 6.5 milionë euro, dhe ekzistenca e tyre nuk është bërë publike deri pas raportimit të KOHËS në maj të vitit të kaluar, pothuaj një vit nga blerja.

Përveç vonesës në shpërndarje, shumë prej pajisjeve janë blerë dyfish më shtrenjtë sesa lejohet me udhëzim administrativ, dhe deri në 16 herë më shtrenjtë se çmimet në tregun online.

Të ngajshme

Ngjarjet e datës 21 mars

Valjeta Turkaj

“Edhe mysliman edhe kundër kombit, nuk shkon”

Blearta

Kosova pa Rrahmanin dhe Avdullahun për play-off-in e Botërorit

Blearta