Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “me politikat e tij po i shtyn punëdhënësit drejt protestës. “
“Albin Kurti me politikat e tij po i detyron sot të dalin në rrugë punëdhënësit e 143 mijë punëtorëve”, ka shkruar Bajrami në një status të publikuar në Facebook, duke theksuar ndikimin që sipas saj do të ketë vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që nga 1 qershori.
Sipas Bajramit, çmimi i energjisë pritet të rritet deri në 26% për punëdhënësit e mëdhenj, çka ajo e konsideron goditje të drejtpërdrejtë për sektorin privat. Ajo paralajmëron për pasoja të rënda ekonomike dhe sociale: “Kosova po shkon drejt rrënimit ekonomik, e qytetarët e saj drejt varfërisë.”
Duke përmendur disa nga sfidat me të cilat po përballet vendi, Bajrami ka renditur një varg shqetësimesh ekonomike, përfshirë “dy vite nën sanksione nga BE,” “deficit tregtar rekord që nga paslufta,” si dhe “100 mijë vende pune më pak, sipas të dhënave të vetë Qeverisë.” Po ashtu, ajo ka përmendur ekzistencën e “2,123 kontratave njëburimore” si dëshmi e keqmenaxhimit të sektorit publik.