Të paktën 62 persona janë konfirmuar deri tani të vdekur, më shumë se 300 janë plagosur, ndërsa ekziston frika për shumë të tjerë të mbetur nën rrënoja, nga tërmeti i fuqishëm 7,6 ballë që goditi Japoninë në ditën e parë të vitit 2024.
Ndërkohë, imazhet satelitore tregojnë shkatërrimin apokaliptik që kanë pësuar zona të tëra nga tërmeti i fuqishëm. Shumë ndërtesa janë rrafshuar, ndërsa vërehen edhe çarje të thella që kalojnë qindra metra gjatësi. Më rëndë nga tërmeti i fundit u godit gadishulli Noto, ku shumë ndërtesa u rrafshuan, ndërsa të tjera u përfshinë nga flakët.
Aktualisht, grupet e shpëtimit po luftojnë me kohën për t’u ardhur në ndihmë personave që dyshohet të kenë mbetur nën rrënoja. Autoritetet i kanë bërë thirrje popullatës të qëndrojë larg banesave që ndodhen në këto zona për shkak të rrezikut të tërmeteve të mëtejshme.
Njerëzit e evakuuar nga shtëpitë e tyre u mblodhën në auditore, shkolla dhe qendra komunitare. Sipas raportimeve të mediave japoneze, dhjetëra mijëra shtëpi u shkatërruan. Uji, energjia elektrike dhe shërbimi telefonik në disa zona janë ende të ndërprera.
Tërmeti me magnitudë 7.6 u regjistrua pasditen e së hënës, duke detyruar banoret pranë bregdetit të zhvendosen në zonat më të larta, teksa dallgë tsunami goditën bregdetin perëndimor, duke zhytur në ujë banesa dhe automjete.