Partia Demokratike mban këtë mbrëmje protestën kombëtare, e cila është e disata për këtë vit që nga fillimi i serisë së protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimi ka nisur rreth orës 19:30 në sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ashtu siç raporton nga selia e Partisë Demokratike, gazetarja Radio Televizionit Shqiptar, Anisa Kadesha bëhet e ditur se në sheshin para Kryeministrisë nuk është vendosur foltore e improvizuar siç ka ndodhur në protestat e mëparshme. Sipas gazetares Kadesha, strategjia e protestës së opozitës pritet të jetë në formën e marshimit siç ka ndodhur në disa nga protestat e mëparshme.
“Duket se skenari dhe strategjia e protestës së opozitës do të jetë një marshim proteste e fokusuar në ecje përgjatë rrugëve të Tiranës të cilat në fakt Partia Demokratike është treguar hermetike për t’i bërë publike”, u shpreh gazetarja Kadesha.
Në marshimet e mëparshme protestuesit kanë protestuar duke e shoqëruar me goditje ndaj institucioneve shtetërore me objekte të ndryshme.
“Duke iu referuar protestave të kaluara, pritet që Berisha të japë mesazhin e tij në Partinë Demokratike në përfundim të gjithë marshimit të saj. Selia blu ka qenë hermetike edhe për këtë protestë që të japë detaje në lidhje me organizimin, cilat do të jenë rrugët që do të përshkohen dhe cilat do të jenë institucionet që do të protestojnë”, tha gazetarja Kadesha, e cila shtoi se protesta pritet të zgjasë “2 deri në 3 orë megjithëse kushtet atmosferike nuk janë shumë në favor për shkak të reshjeve të shiut. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosin drejtuesit e Partisë Demokratike”.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha bashkë me deputetë të tjerë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
Protesta fokusohet kryesisht te akuzat për korrupsion të lartë, keqqeverisje, çmime të larta, krizën ekonomike, emigracionin masiv dhe izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ndërkaq policia e Shtetit ka marrë masat e sigurisë rreth zonës së Kryeministrisë, ku është paralajmëruar bllokim i pjesshëm i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugëve përreth, ndërsa lëvizja dhe parkimi janë të kufizuara.

