Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini, e ka quajtur pa relevancë dhe si tentativë për moslirim me kusht dorëzimin e provave të reja nga Prokuroria, pas mbylljes së provave në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Këto prova nuk janë relevante, ngase me to synohet të parandalohet lirimi me kusht i ish-krerëve të UÇK-së, duke pretenduar se gjatë vizitave jo të privilegjuara, ata kinse kanë dhënë instruksione se si të ndikojnë në dëshmitarë,” ka thënë Çerkini në RTK.
“Ne e dimë që rasti i Prokurorisë ka përfunduar, dëshmitarët janë dëgjuar dhe kjo provë nuk është me relevancë, sepse nuk ka në kënd të ndikohet. Është në tërësi jo relevante që të dorëzohen tani. Prokuroria po tenton të krijojë një momentum, sepse Gjykata, prejse ka dalë në trupin gjykues, asnjëherë nuk ka konstatuar se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve. E vetmja bazë ligjore që është përdorur deri tani për t’i mbajtur ish-krerët e UÇK-së në paraburgim ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë. Tani, me këto përgjime, po mundohet Prokuroria ta bindë Gjykatën se lirimi i përkohshëm është jo i arsyeshëm”, ka deklaruar Çerkini.
Ai ka thënë se provat është dashur të dorëzohen më herët.
“Në radhë të parë kjo flet për abuzim me diskrecionet që ka Prokuroria për përdorimin e provave që ka në dispozicion. Ato është dashur sa më herët t’u dorëzohen palëve, që ata të kenë mundësi t’i kundërshtojnë. Në këtë rast, ata kanë dorëzuar prova të cilat, sipas tyre, rrjedhin nga përgjimet ambientale në hapësirën e paraburgimit. Mbrojtjes i është dashur kohë a janë të pranueshme, relevante dhe autentike. Mbrojtja është vendosur para një akti të kryer, që t’i vlerësojë me ngut, në mënyrë që t’i kundërshtojë,” ka thënë ai.
Pasi Prokuroria e Specializuar e Hagës përmbylli çështjen e saj duke dorëzuar të gjitha provat në gjykatë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, mbrojtja nisi kërkesë për trupin gjykues.
Ajo njoftoi se tash e dy vjet ka në dispozicion edhe disa përgjime nga qendra e paraburgimit, të cilat ka vendosur t’i dorëzojë tani, pas mbylljes së çështjes.
Sipas prokurorisë, përgjimet dëshmojnë pse Veselit dhe Krasniqit nuk duhet t’u aprovohet kërkesa për lirim të përkohshëm nga paraburgimi.