Bashkë me liberalizimin e vizave Kosova ka fituar edhe njohjen e dokumenteve nga shteti i Spanjës. Ky vendim po shihet si hap pozitiv për njohje të shtetit të Kosovës.
Ndonëse ishin deklaruar se nuk janë ende afër njohjes së shtetit të Kosovës, Spanja vendosi një standard tjetër.
“Edhe bashkërendimi me politikat evropiane të Spanjës dhe tejkalimin e politikave të veta nacionale sa i përket çështjes së njohjes së Kosovës si shtet, është edhe mundësi do të thotë për një njohje de facto të themi kështu të Kosovës”, ka deklaruar Belgzim Kamberi për RTV Dukagjinin.
Sipas Kamberit ky vendim ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë që bërë këtë veprim, dikush nga pushteti vendosi që merita t’ia japë Gani Jakupit, i cili së fundmi u angazhua me punë me MPJD.
E për Belgzim Kamberin, veprimi i deputetes Jeta Statovci është qesharak.
“Fatkeqësisht mendoj që pushteti nuk duhet të jetë arrogant që të përpiqet që të marrë merita siç po e bëjnë disa eksponentë të pushtetit për liberalizimin e vizave në përgjithësi, por tashmë edhe për vendimin e Spanjës, sepse në njërën anë mbetet shumë punë për t’u bërë për subjektivizmin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe siç dihet ka gati tre vite që Kosova nuk e ka marrë asnjë njohje dhe nuk jam shumë i bindur që ka shumë hapësirë për t’u krenuar me politikat aktuale”, ka deklaruar tutje Kamberi.
Spanja është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania.
Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.