Telenews

PDK: Komunat e udhëhequra nga ne në vitin 2025, lidere të transparencës buxhetore

Komunat e udhëhequra nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shënuar performancën më të lartë në Indeksin e Transparencës Buxhetore të Komunave për vitin 2025, të publikuar nga Instituti GAP.

Sipas raportit, Ferizaj, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Vushtrria kanë marrë rezultatin maksimal prej 100 pikësh, duke u renditur në vendin e parë në nivel vendi. Drenasi është vlerësuar me 95 pikë, Hani i Elezit me 97 pikë, ndërsa Skenderaj me 92.5 pikë.

Është e rëndësishme të theksohet se raporti vlerëson transparencën buxhetore gjatë vitit 2025. Në periudhën e vlerësuar, Mitrovica e Jugut udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës. Prandaj, rezultati maksimal prej 100 pikësh i kësaj komune është pjesë e performancës së qeverisjes komunale të PDK-së për vitin që mbulon raporti.

Tetë komunat e udhëhequra nga PDK-ja asokohe kanë arritur një mesatare prej rreth 98.1 pikësh, dukshëm më të lartë se mesatarja e përgjithshme e komunave të Kosovës, e cila ishte 64.5 pikë.

Rezultatet tregojnë gjithashtu përparim të rëndësishëm e të qëndrueshëm. Ferizaj është ngritur nga 47.5 pikë në vitin 2024 në 100 pikë në vitin 2025, ndërsa Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Vushtrria kanë ruajtur rezultatin maksimal prej 100 pikësh. Drenasi ka ruajtur performancë të lartë me 95 pikë, ndërsa Skenderaj mbetet ndër komunat me rezultat të lartë me 92.5 pikë.

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e kryetarëve dhe administratave komunale të PDK-së për qeverisje të hapur, menaxhim transparent të financave publike dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

Transparenca nuk është vetëm publikim i dokumenteve, por respekt për qytetarin dhe për paranë publike. Rezultatet e Institutit GAP dëshmojnë se komunat e udhëhequra nga PDK-ja kanë vendosur standard të lartë të transparencës buxhetore dhe të qeverisjes së përgjegjshme.

Indeksi i Institutit GAP vlerëson publikimin e dokumenteve buxhetore dhe financiare, qasjen në informata për shpenzimet publike, transparencën rreth subvencioneve dhe kontratave, si dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset e planifikimit buxhetor.

PDK-ja është e përkushtuar që këto standarde të ruhen dhe të avancohen më tej në të gjitha komunat që ajo udhëheq.

Të ngajshme

Begaj pret ambasadorin e Ekuadorit, kërkon njohjen e Kosovës: Një kontribut për paqen dhe sigurinë në Ballkan

Yllka Gashi

U shpall “non grata” për veprime në dëm të Shqipërisë, reagon Valon Bela: Dinjiteti i luftëtarit s’matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet

Yllka Gashi

BQK: Sistemi financiar i Kosovës me stabilitet ndaj rreziqeve

Yllka Gashi