Partia më e madhe opozitare në vend, PDK, sot do të mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues ku temë kyçe do të jetë situata në Veri të vendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi,ka thënë se qytetarët kanë nevojë për qartësi.
“Kam ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh. Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese.Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai tha tutje se Kurti po e vendos Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara.
“Ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”, ka deklaruar Krasniqi.
PDK nuk ka dalë ende me njoftim për orën e saktë të takimit dhe nuk ka treguar se çfarë vendime do të merren.
Mbledhjen e PDK-së e ka njoftuar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo tha se do të merren vendime shumë të rëndësishme.
Çitaku tha se synimi i kësaj mbledhjeje është ndalja e tendencës rrënuese të kryeministrit Kurti.
“Të hënën e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, aty do të merren disa vendime të mëdha dhe shumë të rëndësishme. Në rend dite janë hapat e mëtejmë që do të ndërmarrë Partia Demokratike në Parlament dhe jashtë tij, për të synuar që të ndal tendencat rrënuese të kryeministrit Kurti”, tha Çitaku.