Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është shtyrë përsëri, pasi Lëvizja Vetëvendosje vendosi që votimi për nënkryetarët të mos bëhej si pako, por individualisht, procedurë e cila në fund çoi në bllokimin e radhës të konstituimit të Kuvendit.
Përkundër kësaj, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan pro kandidatit të Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, duke dëshmuar, sipas PDK-së, vullnet politik për përmbylljen e procesit dhe funksionalizimin e institucionit më të lartë ligjvënës.
E njëjta qasje nuk u ndoq nga Lëvizja Vetëvendosje.
VV e përdori procedurën e votimit individual, të propozuar nga vetë ajo, për të mos e votuar kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, duke pamundësuar kështu përfundimin e seancës konstituive.
PDK ka shprehur keqardhje që, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon me skema dhe manovra politike që nuk prodhojnë zgjidhje, por vetëm e zgjasin dhe e thellojnë krizën institucionale.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se PDK nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës, ndërsa çështjen e krijuar do ta adresojë në Gjykatën Kushtetuese.

