As Kosova dhe as Serbia, ka deklaruar i deleguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, nuk duhet t’i shohin zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese si koncesion apo kërcënim për pozicionin e tyre, por si pjesëmarrje konstruktive dhe të përgjegjshme në procesin e dialogut.
Peach, i cili të martën ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi, në një intervistë për gazetën serbe, Kurir, ka deklaruar se të dyja palët duhet t’i përmbushin të gjitha obligimet e marra gjatë dialogut përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i përmbushin obligimet e tyre të marra gjatë dialogut. Asociacioni është një nga ato elemente të paplotësuara. Se si do të duket Asociacioni kur të krijohet është çështja e të dyja palëve”, ka deklaruar Peach, raporton agjencia e lajmeve serbe, Beta.
Sipas Peach, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve si dy vende fqinje.
Prandaj shton ai se për arritjen e një marrëveshjeje të tillë duhet “vullnet dhe guxim politik”.
“Kosova dhe Serbia kanë obligim ndaj qytetarëve të tyre që të vazhdojnë bisedimet dhe të punojnë në hapa praktikë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Gjëja më e rëndësishme është që kjo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe duhet të sjellë përfitime afatgjata për ta, si dhe për të gjithë rajonin”.

