Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i partisë ‘Guxo’, Faton Peci, ka thënë se kundër Qeverisë është duke u zhvilluar një luftë hibride, ndërsa veten e konsideron cak të shpeshtë të kësaj lufte.
Ai tha se në disa raste të fundit, është ndjerë si një nga objektivat kryesorë të kësaj lufte.
“Unë mendoj që është duke u zhvillu një luftë hibride, do të thotë ndaj Qeverisë. Po në këtë rast, në shumë rastet e fundit, dy-tri herë jam ndoshta në top listën e qitjeve, edhe si rezultat i mënyrës se si po e kuptoj, po marr informacione dhe qysh po zhvillohen këto zhvillimet,” tha Peci.
Peci tha se puna e tij ka qenë e ndershme dhe e pastër.
“Po e përsëris, në rast se dikush e ka kriju një projeksion të një lufte speciale kundër meje, edhe unë kam kundërvijë asaj lufte, për shkak se asnjëherë në jetë nuk jam dorëzu karshi sfidave, veç më tepër për shkak se e di punën time të ndershme dhe të pastër që e kam bo në këto katër vite,” u shpreh Peci.
Ministri ka folur edhe për ndarjen e granteve. Ai tha se pretendimet për ekzistencën e një “liste të bijave” në procesin e ndarjes së granteve janë të pavërteta dhe përbëjnë shpifje.
Ai tha se përfituesit e granteve përzgjidhen në bazë të kritereve profesionale dhe të verifikueshme, që vlejnë njësoj për të gjithë aplikuesit.
“Nuk ekziston diçka e tillë si ‘lista e bijave’. Kriteret për grante janë të qarta: dokumentacioni i nevojshëm, përmbushja e kushteve teknike dhe administrative, si dhe pikëzimi bazuar në planin e biznesit dhe kapacitetin e fermerit. Kushdo që i plotëson këto, është i barabartë në proces. Gjithçka tjetër është shpifje”, deklaroi Peci.
Peci ka thënë se kushdo që ka dëshmi për ndonjë parregullsi, t’i drejtohet Prokurorisë.
“Unë e kam ndërtuar këtë proces me shumë kujdes dhe me shumë ndershmëri. Nëse dikush ka dëshmi për ndonjë parregullsi, le t’i drejtohet Prokurorisë. Por sa për fjalë boshe, ato janë për konsum ditor dhe nuk më ndalin në punën time për fermerët e Kosovës”, u shpreh Peci në ATV.
Ai tha se krimi më i madh në Ministrinë që ai drejton lidhet me çështjen e pronave, ku dëmi i shkaktuar ndaj shtetit arrin në qindra miliona euro.
Ai deklaroi se një vlerësim i brendshëm ka përllogaritur se vetëm nga tjetërsimi i pronave është shkaktuar dëm mbi 500 milionë euro, por sipas tij, drejtësia ende nuk ka reaguar.
“Çështja e pronave është krimi më i madh që ka ndodhë në Ministrinë e Bujqësisë. Janë vjedhë me miliona në grante dhe subvencione, po në çështjen e pronave vlera e damit financiar… unë kam informacione të sigurta që e kap shifrën e pesëqind milionë eurove. Ne kemi bërë denoncime, kemi dokumente dhe një ekip e ka bërë vlerësimin”, deklaroi Peci.
Ai përmendi edhe rastet konkrete të pronave të rikthyera nga Ministria, përfshirë prona në Fushë Kosovë e Ulpianë, duke thënë se është dëshmi e qartë e korrupsionit sistemik.
“Vetëm në vitin 2024 ia kemi rikthy shtetit prona në vlerë prej njëzet milionë eurosh. Ndërsa prona në Ulpjanë është luani në mes të dhomës – i krimit dhe korrupsionit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, qëndron aty prej tri vitesh dhe askush nuk ndërmerr asnjë veprim”, u shpreh Peci.
The post Peci: Është duke u zhvilluar një luftë hibride kundër Qeverisë, jam në top listën e sulmeve – nuk ekziston ‘lista e bijave’ first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.