Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ku një 19-vjeçar dyshohet se ka kanosur seriozisht nënën e tij, ndaj të cilës ka ushtruar edhe dhunë.
E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë ku ata jetojnë, e ku i dyshuari e ka kërcënuar me vrasje nënën, duke i thënë edhe “lavire” e fjalë të tjera, derisa në një moment e ka kapur për fyti.
Përballë kësaj situate, gruaja e frikësuar ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer se motivi dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje momentale.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’. Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telenews.al/

