E premtja e kaluar gjeti Kosovën me tri sulme terroriste në veri të Republikës. Pas mesnatës së 29 nëntorit, me granatë dore të llojit M-75, u sulmua ndërtesa e komunës së Zveçanit. Nuk kaluan shumë orë e në erë u hodh kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Tetë persona janë arrestuar për sulmin terrorist në veri të Kosovës dhe u sekuestruan edhe një arsenal armësh e pajisjesh ushtarake.
Në orët e para të vikendit, Këshilli i Sigurisë, angazhuan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të patrullojnë pika të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë. Kjo gjë po ndodh për herë të parë, ku trupat e armatosura patrullojnë në gjendje gatishmërie.
Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, për KosovaPress tregon se kanë disa vite që po mundohen si qendër të avokojnë implementimin e Ligjit për Mbrojtje të Infrastrukturës Kritike.
“Është strategjia e mbrojtjes, strategjia e sigurisë kombëtare, strategjia për luftim të terrorizmit, në përgjithësi kemi avokuar që këto të kenë parasysh rëndësinë që ka infrastruktura kritike në një masë ndoshta të paktën planet dhe veprimet janë trajtuar si çështje, por ajo çka është brengosje është fakti që nuk ka pasur ndonjë progres të matshëm sa i përket implementimit të ligjit për mbrojtje të infrastrukturës kritike. Ndonëse ky ligj është miratuar në vitin 2018, kanë mund të konsolidohen me organizmat kyç që e bëjnë koordinimin e implementimin të ligjit në fjalë. Shpesh iu ka ulur rëndësia infrastrukturës kritike, për shkak që jo domosdo ka dhënë një rol kyç sektorit të mbrojtjes në këtë fushë, po këto janë çështje që mbase edhe janë të trajtuara në vende të ndryshme… Është mirë që shoqëria jonë të mos bëjë gabimin e njëjtë si shtetet fqinje, ku ky fenomen ka filluar të trajtohet seriozisht vetëm kur janë ballafaquar me sulme si ky në Ibër-Lepenc, e mbase në një gatishmëri më të madhe të institucioneve për t’i parandaluar këto probleme, këto incidente edhe kishin mund të evitohen” tha ai për KosovaPress.
Vrajolli thotë se sulmi i fundit është serioz për infrastrukturën kritike, andaj FSK do duhej patjetër të përfshihej në patrullime.