Ka përfunduar protesta gjithëpopullore e mbajtur sot në qendër të Prishtinës, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Protesta u shoqërua me thirrje të fuqishme për drejtësi dhe ndaljen e padrejtësive ndaj çlirimtarëve. Tubimi u konsiderua një mesazh i qartë dhe i fuqishëm kundër veprimeve të Gjykatës Speciale, të cilat u cilësuan si të padrejta dhe të njëanshme.
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova dhe diaspora u bashkuan në këtë protestë paqësore, duke mbushur sheshet e kryeqytetit me flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe përkrahëse.
Fjalime në protestë mbajtën figura të njohura, përfshirë Hysni Gucatin – kryetar i OVL-UÇK-së, Arbër Cacajn – djalin e dëshmorit Nagip Cacaj, Nevenka Tromp – ish-hetuese në Hagë, si dhe Ali Ahmetin – lider i BDI-së nga Maqedonia e Veriut.
Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, duke përçuar një zë të përbashkët në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.