Një aksident i rëndë trafiku me tri vetura të përfshira dhe gjashtë persona të lënduar ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Gjakovë, ndërsa dy prej të lënduarve, një çift rreth të 70-ave, janë transportuar në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda.
Sinjali mëson se aksidenti ka ndodhur më 20 gusht, rreth orës 22:54, në rrugën “Washingtoni”, në udhëkryqin me rrugën “Anton Qeta”, në afërsi të supermarketit “Meridian”.
Në aksident janë përfshirë një Mercedes, një Opel dhe një Škoda, ndërsa informacionet e para nga hetimi japin një dinamikë të fortë të përplasjes.
Sipas burimeve të Sinjalit, nën dyshimet fillestare është Shaban Hereqi, rreth 27-vjeçar, i cili po drejtonte Mercedesin në rrugën “Washingtoni”, në drejtim të semaforëve.
Dyshohet se, teksa po i afrohej udhëkryqit me rrugën “Anton Qeta”, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes, Mercedesi është përplasur me një Opel që në ato momente po kyçej nga rruga dytësore në rrugën “Washingtoni”.
Në timonin e Opelit ndodhej R,U., rreth 71-vjeçar, ndërsa pasagjere ishte H.U, rreth 70-vjeçare.
Por përplasja nuk ka përfunduar aty.
Nga goditja, Opeli është përplasur më pas me një Škoda që po lëvizte në drejtimin e kundërt, duke e shndërruar aksidentin në një përplasje zinxhir me tri automjete.
Škoda drejtohej nga V.P, rreth 42-vjeçar, ndërsa në të ndodhej edhe një fëmijë rreth 2-vjeçar. Sinjali nuk po publikon identitetin e të miturit.
Bilanci i aksidentit është gjashtë persona të lënduar.
Lëndime kanë pësuar drejtuesi dhe pasagjerja e Opelit, drejtuesi dhe fëmija që ndodheshin në Škoda, një pasagjer i Mercedesit, si dhe vetë drejtuesi i Mercedesit.
Gjendja më serioze është konstatuar te dy personat që ndodheshin në Opel.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, R.U dhe H.U., kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë transportuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Katër personat e tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe, pas trajtimit mjekësor, janë liruar për në shtëpi.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe, me urdhër të tij, Shaban Hereqi është ndaluar për 48 orë.
Rrethanat e plota të aksidentit mbeten objekt i hetimeve, ndërsa vlerësimi se mospërshtatja e shpejtësisë ka qenë shkaktar i përplasjes është në këtë fazë dyshim fillestar i hetimit dhe jo konstatim përfundimtar i përgjegjësisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

