Presidenti serb tash e disa ditë po paralajmëron një javë të vështirë të mbushur me presione, ministri i serb i jashtëm sqaron se bëhet fjalë për presione për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Në ditën e parë pune të javës, Vuçiq niset për në Athinë. Pra, nëse do të bëhet presion, si duket nuk do të bëhet fjalë vetëm për Rusinë.
Në pyetje çfarë pret që do të diskutohet në Athinë, Vuçiq përgjigjet:
“Çka di unë! E atë që di, nuk guxoj t’jua them. Çfarë pres? Asgjë. Pres të hipi në aeroplan, të zbres në hotel dhe më pas do të më shpjegojnë se çfarë duhet të bëj. Pres që të ketë një temë për të cilën e di dhe për të cilën jam gati, ajo është integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor dhe kjo është gjë e shkëlqyer dhe do të shohim se cilat do të jenë temat e tjera. Ata nuk do të më ftonin për këtë. Ku e di pse më kanë ftuar, të shohim”, ka pretenduar Vuçiq.
Çfarë po ndodh në Athinë për të nxitur reagime të tilla? Aty zhvillohet një darkë dhe takim jozyrtar i organizuar nga kryeministri grek. Aty do të jenë liderët e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Komisionit Evropian, presidentja e Këshillit Evropian, si dhe presidentët e Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë.
Nemanja Todoroviq, nga European Western Balkans pretendon se për të pranishmit do të prezantohet “Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
“Pra, a nuk është ky lajm pozitiv, pra përse gjithë kjo rritje e tensioneve ditëve të fundit?”, pyet Todoroviq.
“Mirëpo, parakusht për një gjë të tillë do të jetë formimi i një tregu të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor, që rezulton nga procesi i Berlinit, por me këtë edhe anulimi i një nisme – ajo është nisma e Ballkanit të Hapur, të cilën Serbia, gjegjësisht presidenti Aleksandar Vuçiq jashtëzakonisht e përkrah”, ka shtuar Todoroviq.