Kanë kaluar pesë vjet që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, e cila ndryshoi rrënjësisht jetën e miliarda njerëzve dhe sfidoi sistemet shëndetësore në të gjithë globin. Virusi, i cili u shfaq në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës, u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi një krizë shëndetësore të paprecedentë.
Më 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 një pandemi globale, duke detyruar shumicën e vendeve të miratojnë masa të rrepta kufizuese.
Kosova konfirmoi rastin e parë të COVID-19 më 13 mars 2020, dhe menjëherë autoritetet vendosën masa të ashpra për të frenuar përhapjen e virusit. Kufizimet në lëvizje, mbyllja e shkollave dhe ndërprerja e aktiviteteve ekonomike krijuan një situatë të panjohur për qytetarët. Sistemi shëndetësor, që përballej me vështirësi të tjera, u gjend nën një presion të jashtëzakonshëm për të trajtuar pacientët e infektuar dhe për të siguruar pajisjet mjekësore të nevojshme.
Gjatë pandemisë, Kosova ka regjistruar mbi 270 mijë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe më shumë se 3,200 viktima. Numri real i të infektuarve dhe viktimave mund të jetë edhe më i lartë, duke marrë parasysh kapacitetet e kufizuara të testimit dhe rastet e paidentifikuara.
Një nga sfidat më të mëdha gjatë pandemisë ishte procesi i vaksinimit. Kosova filloi fushatën e vaksinimit në mars të vitit 2021, fillimisht me furnizime të kufizuara, duke u mbështetur në donacione dhe mekanizmat ndërkombëtarë si COVAX. Megjithatë, edhe pasi vaksinat u bënë të disponueshme, një pjesë e madhe e popullsisë hezitoi t’i merrte ato, duke ndikuar në ritmin e imunizimit. Dezinformimi, teoritë konspirative dhe mungesa e besimit te institucionet shëndetësore bënë që shumë qytetarë të refuzonin vaksinën, duke vonuar krijimin e një imuniteti kolektiv. Deri në vitin 2023, vetëm rreth 60% e popullsisë kishte marrë të paktën një dozë të vaksinës, një përqindje më e ulët krahasuar me shumë vende evropiane.
Sot, pesë vjet pas fillimit të pandemisë, COVID-19 nuk është më një kërcënim i menjëhershëm, por pasojat e tij vazhdojnë të ndihen në shëndetin publik, ekonominë dhe jetën e përditshme. Pandemia e COVID-19 mbetet një mësim i rëndësishëm për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi, duke treguar nevojën për investime më të mëdha në shëndetësi dhe për një përgatitje më të mirë për emergjenca të ngjashme në të ardhmen./Telenews.al/