Telenews

Pika e kontrollit në Istog zbulon pistoletën në Golf – 36-vjeçari thotë se arma është e tij, por leja ende në procedurë –

Një kontroll i trafikut në Gurrakoc të Istogut ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një arme zjarri, ndërsa drejtuesi i veturës është proceduar për posedim të paautorizuar të armës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 17:40, patrulla e trafikut rajonal në Pejë ka ndaluar për kontroll një VW Golf, ngjyrë hiri, të cilin po e drejtonte Elvis Maxharraj, 36-vjeçar.

Pas verifikimit është konstatuar se 36-vjeçari kishte patentë shoferin të konfiskuar, ndërsa gjatë procedurave për konfiskimin e automjetit është kontrolluar edhe vetura.

Në fiokën në anën e pasagjerit është gjetur një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë të kalibrit 9 mm, ndërsa pranë frenit të dorës janë gjetur edhe nëntë fishekë me gaz.

I dyshuari është shoqëruar për intervistim dhe, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka deklaruar se arma është e tij dhe se e kishte blerë në mënyrë të rregullt.

Ai ka thënë se dokumentacionin për pajisje me leje e kishte dorëzuar dhe se procedura ishte ende në zhvillim, por në momentin e kontrollit nuk posedonte kartelën përkatëse për mbajtjen e armës.

Sipas deklarimit të tij, armën e kishte marrë me vete pasi ishte duke e renovuar shtëpinë dhe nuk ishte ndier i sigurt ta linte aty. Ai ka përmendur gjithashtu rrethana familjare si arsye shtesë për shqetësimin e tij.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

Nëntë të arrestuar në aksionin për krime lufte në Zubin Potok

KushtrimGuraj

Sot në Shkup mbahet marshi “Jo në emrin tim!” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së –

KushtrimGuraj

Defekt në një tubacion, ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona të Prishtinës

Yllka Gashi