Në seancën e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatave të Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë, ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.
Në fund të mbledhjes, kryesuesja tha se ndonëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon fjalën, Presidenca ka theksuar se palët mund të kenë nga një fjalim shtesë.
“Nuk kam më emra të shkruar në listën e folësve. E kam parasysh që presidenti Vuçiq po kërkon fjalën. Presidenca u ka theksuar palëve se mund të kemi nga një fjalim shtesë për secilën dhe ne kërkojmë që kësaj t’i bindemi. Nëse po pajtohemi”, tha ajo, teksa në sfond dëgjohet Vuçiq duke folur pa mikrofon.
“Do të ketë drejtësi për, do t’i mbrojmë njerëzit tanë”, paralajmëroi Vuçiq në fund të mbledhjes.
Kujtojmë se ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se ShBA ka shprehur brengat e saj me planin e Kosovës për të zbatuar rregulloren e BQK-së, me ç’rast u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese.
Thomas-Greenfield, tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj kërkoi kthimin në dialog.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm. Është qëllimi që ne dhe partnerët tanë kemi vendosur për të nxitur demokracinë, integrimin ekonomik rajonal, shoqërinë multientike dhe sundimin e ligjit”, tha Thomas-Greenfield.
Ambasadorja amerikane tha se shteti i saj ka shprehur shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së, duke goditur Kosovën se ky vendim është marrë pa konsultim.
“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.
Sipas saj, ndërprerja e dërgesave për përfitimet shoqërore duhet të minimizohet “derisa të përfundojë tranzicioni dhe ne po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë serbe që të bashkëpunojë në këtë drejtim”.
Ajo po ashtu shprehu shqetësim për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” sa i përket mbylljes së zyrave të institucioneve që Serbia mbështet në Kosovë dhe për mbylljen e zyrës së një organizate joqeveritare serbe në Prishtinë.
“Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”.
Ndryshe, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet. Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.