Një ide brenda ekipit të presidentit të zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Ukrainë, përfshin shtyrjen e anëtarësimit të Kievit në NATO për të paktën 20 vjet, në këmbim të furnizimeve të vazhdueshme me armë, raporton “Wall Street Journal (WSJ)”, duke cituar tre burime të afërta me Trumpin.
Trump, i cili ka fituar zgjedhjet presidenciale më 5 nëntor, ka thënë vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës brenda “24 orëve” dhe do t’i largonte ShBA-të “nga Ukraina”.
Raportet e mëparshme të medieve dhe deklaratat nga rrethi i brendshëm i Trumpit kanë treguar se kjo do të sillte ngrirjen e luftës në linjat aktuale të frontit dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar në lindje, një pretendim i mbështetur edhe nga burimet e “WSJ”-së.
Rusia aktualisht pushton afërsisht 20 për qind të territorit ukrainas në jug dhe në lindje dhe vazhdon të shtyjë në mënyrë të qëndrueshme mbrojtësit ukrainas, megjithëse me koston e humbjeve të rënda.
Mbetet e paqartë se kush do të kontrollonte zonën e çmilitarizuar prej 1 mijë e 300 kilometrash, por një ndihmës i panjohur i Trumpit i ka thënë “WSJ” se Uashingtoni do t’u kërkonte aleatëve evropianë të dërgonin trupat e tyre.
Ky propozim është vetëm një nga idetë që qarkullojnë në ekipin e Trumpit dhe presidenti i zgjedhur ka një tendencë për të marrë vendime të rëndësishme politike në vend, kanë thënë burimet.