Një rast shqetësues i rrezikimit të sigurisë publike është raportuar në Mitrovicën e Jugut, ku një plumb qorr ka përfunduar në ballkonin e një banese të banuar, duke rrezikuar jetën e banorit.
Sinjali mëson ekskluzivisht se mëngjesin e 3 gushtit 2025, rreth orës 09:00, B.I rreth 36-vjeçar është kthyer nga puna në ndërrimin e natës dhe ka vërejtur një vrimë të dyshimtë në xhamin e ballkonit në banesën e tij në rrugën “Fadil Deliqi” në Mitrovicë – Jug.
Sipas deklarimit të tij para Policisë, ai dyshon se vrima është shkaktuar nga një predhë plumbi qorr.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia policore, hetimet dhe krim-teknika e SP Jug Mitrovicë, të cilët kanë konstatuar praninë e copëzave të predhës në ballkon. Për shkak të madhësisë së vogël të fragmentit të plumbit, njësia teknike nuk ka mundur të përcaktojë kalibrin e armës.
Rasti është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, hetimet kanë nisur me prioritet për të identifikuar autorin e të shtënës.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në lagje, ndërsa Policia është duke hetuar pistat e mundshme të burimit të zjarrit.