Shenjat, gabimet e zakonshme në trajtim dhe hapat e thjeshtë të frymëmarrjes që e ndalin sulmin
Laringospazma është pasojë e shtrëngimit dhe mbylljes së kordave të zërit. Personi në këtë situatë nuk është në gjendje të marrë frymë dhe të flasë. Edhe pse gjithçka zgjat shkurt, deri në 20 sekonda, bëhet fjalë për një gjendje traumatike, e cila ndonjëherë mund të çojë në panik, në luftë paniku për frymë dhe në komplikime shtesë. Astma, GERB (sëmundja e refluksit gastroezofageal) ose çrregullimet ankthioze mund të jenë shkaktarë për laringospazmën. Simptomat janë të papritura dhe ndonjëherë frikësuese. Është e mundur që gjendja të mos njihet mjaftueshëm, prandaj të trajtohet gabimisht si anafilaksi.
Sa e rrezikshme është laringospazma?
Laringospazma është gjendje gjatë së cilës praktikisht mbyllet rruga e frymëmarrjes, thotë specialistja e sëmundjeve të veshit, hundës dhe fytit, dr. Helena Jip.
Personi përpiqet të marrë frymë, por ka ndjesinë se po mbytet. Zëri mund të tingëllojë i ngjirur ose të humbasë plotësisht. Pacienti nuk mund të flasë ose të marrë frymë, megjithatë, edhe pse gjithçka duket dramatike, kjo gjendje nuk është e rrezikshme për jetën. Në rastin më të keq, pacienti mund të humbasë ndjenjat, pas së cilës spazma pushon, transmeton Telegrafi.
Çfarë mund ta shkaktojë laringospazmën?
Ekzistojnë të ashtuquajtur “shkaktarë” që mund t’i irritojnë kordat e zërit dhe të nxisin laringospazmën. Është e rëndësishme që pacientët t’i njohin dhe t’i kontrollojnë këto rreziqe, siç janë:
• Sëmundja e refluksit gastroezofageal (GERB): Në këtë çrregullim të tretjes, acidi i stomakut mund të kthehet në ezofag, të irritojë fytin dhe të nxisë laringospazmën.
• Alergjitë: Reaksionet alergjike mund të jenë shkaktar.
• Infeksionet respiratore: Ftohja, gripi, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes ose bronkiti, në disa situata, mund të çojnë në irritim të zgjatur të fytit.
• Kollë kronike: Një sulm i fortë kollitjeje ndonjëherë mund të jetë aq intensiv sa kordat e zërit të hyjnë në spazmë dhe të bashkohen, thotë dr. Jip.
• Ankthi ose stresi: Dikur mendohej se këto gjendje ishin shkak i shpeshtë i laringospazmës, veçanërisht te sportistet e reja të nivelit elitar.
• Irritantët: Thithja e tymit, avujve kimikë, polenit, pluhurit ose aromave të forta mund të irritojë fytin.
• Aktiviteti fizik intensiv: Ushtrimet mund të shkaktojnë laringospazmë te disa persona.
Çfarë të bëjmë nëse ndodh laringospazma?
Është normale të ndihemi të shqetësuar në një situatë të tillë, por këshilla e ekspertëve është të përpiqemi të qëndrojmë të qetë, sepse paniku mund t’i përkeqësojë simptomat. Dr. Jip këshillon të përpiqemi të qetësohemi dhe ta lehtësojmë frymëmarrjen në disa mënyra:
• Mblidhni buzët si për puthje dhe nxirrni frymën ngadalë. Ky pozicion i buzëve ndihmon që kordat e zërit të relaksohen.
• Bëni dy thithje të shkurtra përmes hundës.
• Përsëriteni derisa frymëmarrja të përmirësohet.
Kur të filloni të ndiheni më mirë, mund të ndërmerrni hapa për të parandaluar irritimin e kordave të zërit. Shmangni irritantët, për shembull duhanpirjen, aromat e forta ose alergjenët. Këshilla është të trajtojmë refluksin e acidit dhe të kontrollojmë stresin. Logopedi mund të na ndihmojë që, përmes ushtrimeve, të mësojmë të marrim frymë si duhet.
Kur është e nevojshme të kërkojmë ndihmë mjekësore?
Në rast se ndodhin episode të përsëritura të laringospazmës, kërkoni ndihmë profesionale, ka thënë dr. Jip. Pulmologu ose alergologu mund t’i vlerësojnë simptomat. Për pacientët me astmë dhe me simptoma të laringospazmës, rekomandohet të vizitojnë edhe specialistin ORL.


