Festim Ramadani, polici i dyshuar për vrasjen në dasmën në Bibajt të Ferizajt të premten, para katër ditësh kishte shpërndarë një video, teksa kishte shkruar e ngacmuesit e sulmuesit seksual duhet të jenë në burg.
Përmbajtja e videos nuk dihet, por i dyshuari Ramadani duke komentuar rrëfimin e një personi në këtë video, shkruante se duhet të ngrihet hetim dhe aktakuzë ndaj atij matrapazi ministër që paska qenë.
“Ai dhe të tjerët si ai janë kafshë e jo njerëz. Përkrahje të pafund për ish deputeten dhe profesoreshën. Ne duhet t’i mbrojnë Nanat, vajzat dhe grat tona” kishte shkruar polici, i cili është suspenduar pas vrasjes në Bibaj.

I vrari në sallën e dasmave në Bibajt të Ferizajt është xhaxhai i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.
Burimet kanë thënë se i vrari është Sadri Sadriu, ndërkaq i dyshuari për vrasjen e tij është polici i Kosovës, Festim Ramadani.
Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me shumë njësi të tjera policore si dhe prokurorin kujdestar.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restaurant ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme.
Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka vdekur.
I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

