Policia e Kosovës ka thënë se rasti i plagosjes së një zyrtari policor në Skenderaj të dielën, në të cilin u përfshi ish-nënkryetari i komunës, Nuredin Lushtaku, nisi si pasojë e një gjobe për kundërvajtje në trafik.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se hetimet për rastin kanë nisur në drejtim të veprës penale “sulm ndaj personi zyrtar”.
Sipas policisë, deri të incidenti ka ardhur pasi policia shqiptoi gjobë për kundërvajtje në trafik dhe pastaj të dyshuarit kanë sulmuar dy zyrtarët policorë.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR Skenderaj 02.07.2022 – 23:55. Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin e PK-së.
Ndërkaq, Nuredin Lushtaku ka mohuar se ka pasur dhe përdorur armën të dielën.
Ai ka thënë se polici Enver Smakiqi ka gjuajtur pa asnjë arsye në drejtim të kolegut të tij.
“Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një incident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime abnoramle dhe agresive të policit Enver Smakiqi. Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, thotë ai për Gazetën Blic.
Pretendimet e Lushtakut i ka hedhur poshtë Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media të dielën.
“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Inspektoratit Policor.

