Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar një operacion policor, në kuadër të aksioneve të mëhershme kundër drogës. Bastisjet janë kryer në disa lokacione, në Klinë, Fushë Kosovë dhe Gjakovë, me ç’rast janë kapur 12 kg marihuanë dhe janë arrestuar gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe Ilir Pantina, vëllai i anëtares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipër Pantina, raporton Gazeta Sinjali.
Ish-deputetja Pantina ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka konfirumuar se shtëpia e vëllait të saj Ilirit ka qenë cak i bastisjes.
Ajo ka thënë se në shtëpinë e vëllait të saj nuk është gjetur asgjë dhe ai nuk ka tentuar t’i ikë arrestimit, teksa ka bërë të ditur se Iliri ka pësuar lëndime serioze në kurriz.
“Dje emri im dhe i familjes sime eshte lakuar ne disa medie: Eshte e vertete se shtepia e vellaut tim eshte bastisur dje, por eshte e vertete se aty NUK eshte gjetur ASGJE, kete e ka vertetuar sot edhe Gjykata. Vellau im nuk akuzohet per asgje. Eshte e vertete se ai ka pesuar lendime serioze dje, por eshre e vertete se ai NUK ka tentuar te i ike arrestimit. Gjysme i pergjumur ( ne jerem) ai ka ngaterruar daljen nga dhoma”, shkroi Pantina, duke shtuar se gjendja shëndetësore e vëllait të saj është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndryshe, burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se gjatë operacionit të koduar si “Guri” kanë rënë në prangat e Policisë Burim Aliaj, Ilir Pantina, Isuf Hasanaj, Naim Hasanaj, Bujar Pantina dhe Egzon Hasanaj, të cilët kanë qenë objekt hetimi.
Gjatë këtij aksioni, përveç drogës janë sekuestruar edhe rreth 3500 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet se janë përfituar nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike.