Policia e Shtetit e Reggio Emilia-s ka ekzekutuar një urdhër paraburgimi paraprak të lëshuar nga Gjykata e Bolonjas, me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias, ndaj nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian. Ata dyshohen për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Operacioni u realizua nga policia italiane e cila aktivizoi kanalet e Interpolit për shpërndarjen ndërkombëtare të urdhër-arresteve, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri.
Arrestimet dhe kontrollet po zhvillohen në disa provinca italiane, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si dhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit operacional me autoritetet policore të huaja, në veçanti me Departamentin e Policisë Kriminale të Shqipërisë.
Operacioni, i koduar me emrin “STURL ONE”, përbën vazhdimësinë e hetimeve të mëparshme të njohura si TREXIT 2019 dhe BLACK MAMBA, të cilat kishin çuar, në janar 2021 dhe shtator 2022, në ekzekutimin e gjithsej 35 masave kufizuese.
Hetimi TREXIT 2019 kishte zbuluar ekzistencën e tre organizatave kriminale aktive në provincën e Reggio Emilia-s. Njëra prej tyre, e përbërë nga shtetas me origjinë nga Magrebi dhe e njohur si “grupi Rubiera”, ishte e përfshirë në shitjen me pakicë të kokainës. Dy grupet e tjera përbëheshin nga shtetas shqiptarë, të cilët furnizonin në mënyrë të vazhdueshme sasi të mëdha kokaine për grupin e Afrikës së Veriut.
Një nga këto organizata drejtohej nga një shtetas shqiptar me banim në Itali, i cili udhëtonte shpesh jashtë vendit dhe në Shqipëri, duke vepruar që nga viti 2018 si ndërmjetës kryesor për furnizimin me kokainë në rajonin Emilia-Romagna.
Hetimet kanë treguar se organizata kriminale ishte e strukturuar në disa nivele, me disponueshmëri të lartë personeli, mjetesh dhe burimesh financiare. Ajo ishte e aftë të importonte dhe shpërndante sasi të mëdha kokaine, marijuane dhe kanabisi nga Amerika e Jugut, Evropa Veriore dhe Spanja, duke i fshehur lëndët narkotike në kamionë të ngarkuar me produkte bujqësore dhe më pas duke i shpërndarë në të gjithë Italinë përmes një rrjeti korrierësh.
Për komunikim të fshehtë, anëtarët e organizatës përdornin platformën e koduar SKYECC, të instaluar në telefona të specializuar me kosto shumë të lartë. Gjatë operacioneve të mëparshme, Policia sekuestroi disa prej këtyre pajisjeve. Platforma SKYECC ishte dekriptuar nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, çka lejoi aksesin në komunikimet e anëtarëve të rrjetit kriminal.
Në vitin 2022, Drejtoria Antimafia e Distriktit të Bolonjës hapi një procedim të ri penal me qëllim identifikimin e drejtuesve kryesorë të organizatës. Nëpërmjet një Urdhri Hetimor Evropian, u analizuan bisedat e koduara dhe u kryen hetime teknike të avancuara ndaj të dyshuarve të pranishëm në Itali.
Këto hetime mundësuan dokumentimin e një numri të madh veprash penale dhe vërtetimin e rolit të qëndrueshëm dhe funksional të secilit anëtar brenda organizatës, duke çuar në formulimin e 44 akuzave penale.
Vetëm gjatë gjashtë muajve monitorim, organizata kishte arritur të lëvizte dhe shpërndante mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1,000 kilogramë hashash dhe marijuanë, duke gjeneruar miliona euro fitime. Të dyshuarit, të bindur për sigurinë e komunikimeve të tyre, diskutonin hapur negociatat, mënyrat e shpërndarjes dhe madje komentojnë edhe sekuestrimet e kryera nga Policia.
Falë punës së detajuar hetimore, Policia e Shtetit arriti të identifikojë përdoruesit e PIN-eve SKYECC dhe t’i lidhë ata me identitetet reale, duke ndërtuar një bazë të fortë provash, e cila u pranua plotësisht nga Autoriteti Gjyqësor.
Në total, 15 persona janë nën hetim. Përveç nëntë arrestimeve, u kryen kontrolle të shumta në të gjithë territorin italian, me pjesëmarrjen e rreth 50 efektivëve të Policisë së Shtetit, shkruan Euronews.al.
Gjatë një kontrolli të veçantë në provincën e Brescias, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë pasi iu gjetën mbi 2 kg marijuanë, 1 kg hashash dhe 5,800 euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.

