Telenews

Prelec: Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit, ndihmon Kosovën në skenën ndërkombëtare


Eksperti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin, Marko Prelec i tha se zbatimi nga Qeveria e Kosovës i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është lajm i mirë, sepse i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe i heq vendit siç e quajti ai, “një njollë të madhe” në reputacionin ndërkombëtar.

“Ky është lajm i mirë, por jo për t’u befasuar sepse u bë shumë e qartë që ishte një kusht i vendosur në mënyrë që Kosova të mund të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës, diçka që ne, Grupi Ndërkombëtar i Krizave e kemi kërkuar prej kohësh. Mendojmë se është një gjë shumë e mirë për Kosovën që të jetë anëtare e Këshillit dhe të jetë nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne kemi bërë thirrje që Serbia ta mbështesë këtë përpjekje, gjë që ata refuzuan ta bëjnë”, deklaroi ai për VOA.

Eksperti Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin tha se ishte e vështirë të kuptohej se si një vend i përkushtuar ndaj rendit të ligjit, kishte injoruar vendimin e Gjykatës së vetë Kushtetuese për tetë vjet.

Megjithatë ai tha: “Është shkurajuese që Qeveria e Kosovës megjithëse mori vendim për zbatimin e tij, vlerësoi se ishte e nevojshme ta kritikonte sërish vendimin. Por të paktën po fillon zbatimi dhe ky është një lajm shumë i mirë.”

Prelec thotë se në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike vendimi për zbatimin është “një hap që ndihmon dhe në planin afatgjatë. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë shumë i dobishëm për tërë Kosovën, por në veçanti për serbët e Kosovës pasi u siguron një institucion tjetër të cilit mund t’i drejtohen nëse dhe kurdo që ndihen se të drejtat e tyre nuk po respektohen plotësisht nga sistemi i drejtësisë.”

Lidhur me tensionet në terren, ai thotë se “gjërat kanë shkuar shumë më larg dhe do të nevojiten më shumë veprime nga të gjitha palët për t’i qetësuar ato.”

Të ngajshme

Formimi i një komisioni të ekspertëve të kualifikuar për rishikimin e doracakëve është një hap i nevojshëm

KushtrimGuraj

Ç’surpriza ka përgatitur moti të premten dhe fundjavë në Kosovë?

KushtrimGuraj

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu