Telenews

Premtimi i koalicionit “për Kosovën fituese”: Aeroport e autostradë

Koalicioni mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Intelektualëve fushatën elektorale e ka vazhduar në Gjakovë. Qytetarëve atje u premtuan ndërtimin e autostradës së Dukagjinit e funksionalizimin e aeroportit të Gjakovës për udhëtarët.

Autostradë e aeroport u premtoi gjakovarëve koalicioni mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Intelektualëve.

Në tubimin e dytë të këtij koalicioni, që u mbajt në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj tha se kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti është treguar mosmirënjohës ndaj Gjakovës.

“Dy fjalë ndaj mosmirënjohësit ndaj Gjakovës, qyteti që ka numrin më të madh të vrarëve në luftë, qyteti që ka numrin më të madh të luftëtarëve, qyteti që është kall më së shumti, i dha Kurtit 23 mijë vota. Ky qytet, i djegur i vramë, e i shkrumun që është nderi dhe krenaria jonë, çka bëri ai, punën e parë që e bëri e ndali rrugën për në Gjakovë, a ka ma mosmirënjohës sesa ky njeri ndaj Gjakovës”, tha Haradinaj.

Kryetari i partisë Forumi i intelektualëve, Artan Nimani, tha se qytetarët e Gjakovës do të përfitojnë nga ky koalicion.

E kryetari i subjektit konservatorët, Avdullah Klinaku, premtoi formimin e një ministrie për mbrojtjen e familjes.

“Duhet të ndalim një qeveri antishtetërore, ku koalicion do ta mbrojë familjen, me nënë, babain, kjo qeveri ka dashur me çdo çmim që ta rrënojë familjen. E ta rrënoj familjen”, tha Klinaku, kandidat për deputet.

Kryetari i Gjakovës dhe kandidati për deputet, Ardian Gjini, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosjen për sabotim të kësaj komune në investime kapitale.

“Rruga e Dollcit e cila 2019-tën është nisur në vitin 2019 e kemi nisur bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, 2021 kjo është heq, është heq 2022, 2023, 2024, ndërsa tani a e çka thonë shpronësimet i kemi problem”, tha Gjini.

Një premtim për mësimdhënësit pati kandidatja për deputete, Teuta Haxhiu.

“Për të gjithë mësimdhënësit të cilët sot janë vënë në lajthitje të cilëve u kërkohet të marrin trajnime me pagesë, ne i garantojmë se do t’ua mundësojmë trajnime pa pagesë, dhe ju garantojmë se askush nuk do t’ju qes në lajthitje që ata të testohen”, tha Haxhiu.

Një ndër premtimet kryesore të koalicionit është anëtarësimi për në organizatën veriatlantike NATO.

Të ngajshme

Gjendet trupi i pajetë i 26- vjeçarit që ishte raportuar si i zhdukur

KushtrimGuraj

Plagosja në Gjakovë: Viktima dyshohet se u qëllua duke vozitur – kjo është gjendja e tij

KushtrimGuraj

​Tetë vjet nga ndalimi i hyrjes së trenit serb në Kosovë

KushtrimGuraj