Letra ku Qeveria e Kosovës konfirmon se do ta hartojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e më pas ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, nuk është konsultyuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Kjo është konfirmuar nga Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani”, thuhet në komunikatë.
Osmani, siç shkruan tutje, përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me presidencën.
“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, thuhet tutje.
Sipas presidencës kjo nuk është e tillë dhe Osmani gjatë gjithë ditës ka pasur konsultime me aleatët rreth anëtarësimit në KiE.
“Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, thuhet tutje.
Në fund, presidenca njofton se “rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”.

