Presidentja Vjosa Osmani i ka ftuar partitë politike për konsultim rreth caktimit të datës për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të veriut.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre”.
Dorëheqjet ishin dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe për këtë është njoftuar Zyra e Presidentes.
Pas këtij konsultimi, Osmani do ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në fjalë brenda afateve ligjore.