Telenews

Presidentja Osmani reagon për thirrjet raciste në Kumanovë: Heshtja e zyrtarëve të Shkupit është shqetësuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë.

Osmani theksoi se këto thirrje, të bëra në prani edhe të udhëheqësve të shtetit fqinj, përbëjnë një sulm ndaj frymës së bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë në rajon.

“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha ajo në një deklaratë.

Osmani tha se më shqetësues ishte fakti që zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin maqedonas Hristjan Mickoski nuk reaguan ndaj këtyre thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve.

“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, thuhet në deklaratë.

Osmani tha se “sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”.

“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, thuhet në deklaratë.

Presidentja tha se Kosova “do ta mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”.

Gjatë ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje si “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.

Të ngajshme

Tragjike në Greqi! 55-vjeçari shqiptar gjendet i vdekur në një rezervuar të ujërave të zeza

Valjeta Turkaj

Tronditëse në Gjilan – 64-vjeçari gjendet i varur në oborrin e shtëpisë nga nëna e tij

Valjeta Turkaj

Fibula Travel sjell pushimet që keni ëndërruar në Antalya

Valjeta Turkaj