Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e rastit.
Presidentja është shprehur thellësisht e tronditur nga kjo ngjarje, ndërsa ka kërkuar që të hetohet edhe përgjegjësia e institucioneve që kishin për detyrë mbrojtjen e viktimës.
“Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se duhet të sqarohet nëse janë marrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e viktimës.
Sipas presidentes, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale”, ka theksuar ajo.
Në fund, Shiroka-Pula u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, duke ritheksuar se mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm dhe se nuk mund të ketë kompromis kur jeta e tyre vihet në rrezik.
Presidentja u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit dhe të vihet drejtësia në vend.
Reagimi i saj vjen pas vrasjes në Vitomiricë, ndërsa çështja e përgjegjësisë së mundshme institucionale mbetet për t’u sqaruar nga hetimet.

