Telenews

Projektligji për të dhënat, i kundërshtuar nga Elton John dhe Dua Lipa miratohet në Parlamentin Britanik

projektligji-per-te-dhenat,-i-kundershtuar-nga-elton-john-dhe-dua-lipa-miratohet-ne-parlamentin-britanik

Një projektligj që shkaktoi një përplasje të jashtëzakonshme mes disa prej artistëve më të njohur të Mbretërisë së Bashkuar dhe përkrahësve të tyre në Dhomën e Lordëve është miratuar më në fund.

Lordët kërkuan një amendament në projektligjin me titull të thatë “Përdorimi dhe Qasja në të Dhëna”, i cili do t’i detyronte kompanitë teknologjike të deklaronin përdorimin e materialeve të mbrojtura me të drejtë autori gjatë trajnimit të mjeteve të inteligjencës artificiale (IA).

Sipas tyre, pa këtë amendament, kompanitë teknologjike do të kishin dorë të lirë të shfrytëzonin përmbajtjen britanike pa pagesë dhe ta përdornin atë për të trajnuar produktet e tyre të inteligjencës artificiale që më pas do t’i imitonin, duke rrezikuar punësimin e artistëve njerëzorë.

“Kjo do të ishte një vjedhje në shkallë të gjerë”, tha Sir Elton John për BBC-në.

Ai ishte një nga shumë emra të njohur të industrisë krijuese britanike, përfshirë edhe Sir Paul McCartney dhe Dua Lipën, që u pozicionuan kundër qeverisë.

Qeveria refuzoi amendamentin. Ajo deklaroi se tashmë është duke zhvilluar një konsultim të veçantë rreth çështjeve të së drejtës së autorit dhe se do të presë për përfundimin e këtij procesi.

Për më tepër, ka plane për një projektligj të veçantë për inteligjencën artificiale. Kritikët e propozimit të Lordëve thonë se ai do ta pengonte industrinë e inteligjencës artificiale dhe do të linte Mbretërinë e Bashkuar pas në këtë sektor fitimprurës dhe në zhvillim të shpejtë.

Kështu, projektligji mbeti pezull për një muaj, duke kaluar disa herë mes Dhomës së Komunave dhe Dhomës së Lordëve.

Por tani është miratuar përfundimisht, pa amendamentin, dhe do të bëhet ligj sapo të marrë miratimin mbretëror.

“Mund të bëjmë vetëm aq sa na lejohet këtu. Besoj se e kemi bërë tonën. Tani i takon qeverisë dhe Dhomës tjetër (Komunave) të dëgjojnë,” tha kompozitori dhe prezantuesi Lord Berkeley.

Qeveria ka mirëpritur miratimin e këtij ligji gjithëpërfshirës.

“Ky ligj ka të bëjë me përdorimin e të dhënave për të nxitur ekonominë dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve – nga shëndetësia te infrastruktura – dhe tani mund të fillojmë punën për ta bërë këtë”, tha një zëdhënës i Departamentit për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT).

Më shumë se vetëm Intelegjencë Aartificiale

Të tjera propozime të dobishme që përfshihen në projektligj, por që u rrezikuan nga debati për IA, janë:

Rregulla të reja që u japin prindërve të pikëlluar të drejtën për të hyrë në të dhënat e fëmijëve të tyre në rast vdekjeje

Ndryshime që lejojnë institucionet e NHS-së të ndajnë më lehtë të dhënat e pacientëve

Një hartë në 3D e rrjetit të tubacioneve dhe kabllove nën tokë në MB, për të përmirësuar efikasitetin e punimeve rrugore dhe për të shmangur dëmtimet aksidentale të infrastrukturës

“Kjo është një lajm i mirë për punonjësit e NHS-së dhe policinë që do të çlirohen nga mbi një milion orë punë burokratike, për prindërit e pikëlluar që do të kenë më shumë mbështetje për të marrë përgjigje, dhe për qytetarët që do të ndihen më të sigurt online falë veprave të reja penale për abuzim me deepfake”, thuhet në deklaratën e DSIT.

Por edhe pse Dhoma e Lordëve vendosi se e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj për IA-n, debati nuk është mbyllur.

Ata që udhëhoqën këtë betejë nuk e kanë ndryshuar mendimin. Baroness Kidron, regjisore filmi dhe një nga zërat kryesorë për amendamentin, e quajti miratimin e ligjit një “fitore pyrrike” në rastin më të mirë për qeverinë – një fitore që sjell më shumë humbje sesa përfitime.

Sipas saj, kjo përfshin dorëzimin e pasurisë krijuese britanike ndaj zhvilluesve të IA-së, kryesisht të bazuar në SHBA.

Shumë të tjerë mbeten sfidues dhe besojnë fuqimisht se industria krijuese britanike, me një vlerë prej 124 miliardë paund, është e rrezikuar nëse qeveria nuk e merr seriozisht këtë çështje.

Owen Meredith, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Medias së Lajmeve që mbështeti Lordët, tha se ligji i dërgon një “mesazh të qartë” qeverisë se “Parlamenti dhe 2.4 milionë punëtorë kreativë në MB do të luftojnë pa pushim për të garantuar zbatimin e ligjeve tona të njohura ndërkombëtarisht për të drejtën e autorit”.

“Na thuhet vazhdimisht se IA do ta ndryshojë gjithçka, gjë që, për fat të keq, do të thotë se do ta diskutojmë këtë temë në çdo projektligj,” tha Baroness Dido Harding në Dhomën e Lordëve, e regjistruar në Hansard. “Por ne do të fitojmë në fund.”

The post Projektligji për të dhënat, i kundërshtuar nga Elton John dhe Dua Lipa miratohet në Parlamentin Britanik first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.

Të ngajshme

Blero dhe Teuta Krasniqi shihen bashkë pas një kohe të gjatë

KushtrimGuraj

Dua Lipa: Do të doja shumë të kisha fëmijë një ditë

Valjeta Turkaj

Era Istrefi dhe Gjesti shihen së bashku në veturë, zbulohet se çfarë i bashkoi dy artistët në New York

Erzana Fazliu