Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve F.B., dhe L.G., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së prokurorisë, nga data 13.12.2025 deri me datë 19.02.2026 në Prizren, të pandehurit F.B., dhe L.G., duke vepruar në bashkëkryerje, në emër të tyre kontraktojnë një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të personit tjetër, në rastin konkret të dëmtuarit B.K., duke e shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare dhe po ashtu papërvojën e tij.
I dëmtuari me datë 13.12.2025 merr borxh nga i pandehuri F.B., të cilën shumë ia siguron i pandehuri L.G., ku për këtë shumë i dëmtuari do të duhej të paguante kamatë mujore 100%, e pasi i dëmtuari nuk arrin që t’ia kthejë këtë shumë, kërkon nga i pandehuri F.B., shtyrje të afatit për pagesë deri në muajin Korrik, mirëpo i pandehuri F.B., në koordinim me të pandehurin L.G., nuk pranojnë dhe ia shtyjnë afatin vetëm për një muaj për t’ia kthyer paratë, mirëpo i dëmtuari në pamundësi të sigurojë këtë shumë të parave e njofton policinë.
Prokuroria Themelore në Prizren, lidhur me këtë rast ka sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike, si dhe prova të tjera materiale në drejtim të veprës penale të lartcekur.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

