Telenews

Prokuroria propozon dënim me burg për të miturin që dyshohet se vrau policin Muhamed Lika në Kaçanik

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burg për të mitur, ndaj të miturit që dyshohet për vrasjen e rëndë të zyrtarit policor Muhamed Lika, ngjarje kjo që ka tronditur opinionin publik në muajin prill të këtij viti.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, Departamenti për të Mitur, propozimi është bërë në bazë të nenit 59 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur të Kosovës, dhe i njëjti lidhet me rastin që ka ndodhur më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.

Nga dosja e prokurorisë mësohet se i mituri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka privuar nga jeta me dashje e përgatitje paraprake zyrtarin policor M.L., në kohën kur ky i fundit ishte duke u kthyer në banesë pas përfundimit të orarit të punës.

“I mituri dhe të pandehurit e tjerë e kanë përcjellë viktimën deri në hyrje të banesës së tij. Pasi kanë hyrë brenda ndërtesës, i mituri i ka shtënë katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur brenda një intervali prej 47 sekondash”, thuhet në aktakuzë.

Pas krimit, i mituri është parë duke dalë me vrap në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku është takuar me bashkëkryesin tjetër, R.M., i cili e ka pritur jashtë objektit. Gjatë ikjes, R.M. dëgjohet duke thënë: “Bravo, ik!”

Autopsia ka konstatuar se shkaku i vdekjes së zyrtarit Lika ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, çka ka çuar në ngritjen e akuzës për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, në bazë të nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I mituri ndodhet nën masën e paraburgimit që nga data 21 prill, ndërsa procedurat gjyqësore ndaj tij pritet të vazhdojnë në javët në vijim.

Të ngajshme

“Politikë arrogante që dëmtoi ekonominë”- AKB dhe njohësit e ekonomisë Muratit pasi Supremja ia rrëzoi vendimin për arkat

KushtrimGuraj

Rohde paralajmëron për moskonstituimin e Kuvendit: Kosova mund ta humbasë relevancën

KushtrimGuraj

Barduani pret emisaren britanike, diskutojnë për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

KushtrimGuraj